Protesta e 3,500 shqiptarëve të shtunën përpara parlamentit të Anglisë ka xhindosur politikanët dhe mediet me qasje kundra emigrantëve.

Mail on Sunday, gazeta më e madhe e së dielës në faqen e parë, shpalos titullin “Në ditën e përkujtimit të dëshmorëve shqiptarët fyejnë Churchillin”.

Kjo gazetë duke iu referuar një videoje, nga ku poshtë statujës së ish kryeministrit Churchill është vendosur flamuri shqiptar, e komenton këtë si një akt që për veteranët e luftës shihet me pakënaqësi.

Gazetari Sam Merriman, shkruan se protestuesit shqiptarë në mënyrë të paskrupullt e të paturp të rrethuan statujën e Sir Churchill në qendër të Londrës me flamurin e tyre kombëtar.

“Protestuesit të mbledhur në kryeqytetin anglez kërkuan me forcë respektimin nga qeveria të drejtave të tyre pas deklarimit të ministres Suela Braverman se “Britania po pushtohet nga emigrantët e jashtëligjshëm” me referencë të drejtpërdrejtë shqiptarët”, thotë Mail On Sunday.

Për këtë gazetë ka shkruar një editorial Nigel Farage, udhëheqësi i BREXIT-it ku thotë se “asnjëherë nuk e mendonte të shikonte një nivel të tillë mos-respekti”.

Farage një zë konstant anti-shqiptarë në median britanike posaçërisht në televizionin GB-News shkruan se “ata shqiptarë që janë këtu legalisht ose ilegalë, duke protestuar në Westminster treguan se nuk e kuptojnë kulturën britanike dhe sakrificat në të shkuarën në këtë vend ku ata banojnë”.

E ndërsa Farage shpalos shqetësimin për se shqiptarët vendosën flamurin e tyre tek monumenti Churchill, me dashje harron të përmend bashkëkombësit e tij të cilët filmohen vazhdimisht duke urinuar poshtë kësaj statuje apo bojatisur atë me grafiti.

Mail on Sunday pjesë të shkrimit ka edhe protestën e të shtunës nga opozita në Tiranë ilustruar me foton e disa të rinjve që ngritën një gomone me flamurin shqiptar dhe atë anglez.

“Shqiptarët i treguan kryeministrit të tyre se ai e ka kthyer Shqipërinë në një vend gomonesh”, thuhet në këtë gazetë.

Arben Manaj, korrespondent i Top Channel në Londër duke komentuar editorialin e Farage thotë se, “një spekulant politik si Nigel Farrage, babai i BREXIT-it, nuk mund të njollosë indinjatën e ligjshme dhe respektin që shqiptarët kanë si komb për një lider si Churchill, monumentin e të cilit shqiptarët e Londrës nuk e njollosën me grafiti, por e mbështollën me gjënë më të shtrenjtë që kanë, Flamurin!”

“Më shumë nesër rrugëve të Londrës nëse vazhdojnë me fushatën anti-shqiptare naziskinët e politikës britanike që janë një minorancë e shëmtuar e një kombi të madh si britanikët qe i kanë mik-pritur shqiptarët”, thekson Manaj.